Friday, May 8, 2026
HomeLajmeBotëStarmer nën presion ndërsa Partia Laburiste pëson humbje në zgjedhjet lokale

Starmer nën presion ndërsa Partia Laburiste pëson humbje në zgjedhjet lokale

Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me presion në rritje pas rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale në Britani të Madhe, ndërsa populisti i djathtë Nigel Farage deklaroi se partia e tij, “Reform UK”, është në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rezultatet e para treguan se laburistët e Starmer humbën qindra vende këshilltarësh dhe kontrollin e tetë autoriteteve lokale në Angli, ndërsa “Reform UK”, Partia e Gjelbër dhe Liberal Demokratët shënuan fitore.

Starmer pritet të përballet me humbje të tjera ndërsa sot vazhdon numërimi i votave, si në zgjedhjet lokale angleze, ashtu edhe në garat për Parlamentin skocez dhe Senedd-in e Uellsit.

Në Uells, laburistët rrezikojnë të humbasin votën kombëtare për herë të parë në më shumë se një shekull, ndërsa në Skoci, Partia Kombëtare Skoceze, SNP duket se do të mbetet partia më e madhe pas 19 vitesh në pushtet.

Sipas gazetës “The Times”, ministri britanik i Energjisë, Ed Miliband i ka kërkuar Starmer të përcaktonte një afat për largimin e tij nga drejtimi i partisë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri David Lammy u bëri thirrje laburistëve të mos e kthenin çështjen e lidershipit në një “lojë fajësimesh” pas rezultateve zgjedhore.

Burime nga Partia Laburiste kujtuan se edhe ish-kryeministri Tony Blair kishte humbur mbi 1 100 këshilltarë në zgjedhjet lokale të vitit 1999, përpara se të fitonte bindshëm zgjedhjet parlamentare të vitit 2001.

Nga ana tjetër, Farage i cilësoi rezultatet e para si një shenjë se “Reform UK” po afrohet drejt një fitoreje historike në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat mund të mbahen brenda tre viteve të ardhshme.

Ai foli për një “ndryshim historik në politikën britanike”, duke deklaruar se “ndarja mes së majtës dhe së djathtës nuk ekziston më”, ndërsa partia e tij po arrin rezultate të forta në zona tradicionale të Laburistëve.

Me 38 nga 136 këshillat lokale që kishin shpallur rezultatet deri në orët e para të së premtes, “Reform UK” fitoi mbi 230 vende këshilltarësh, ndërsa laburistët humbën më shumë se 170.

Partia e Farage mori gjithashtu kontrollin e këshillit të saj të parë në këto zgjedhje, duke fituar Newcastle-under-Lyme, në Staffordshire nga konservatorët.

“Reform UK” fitoi të 12 vendet në Hartlepool, duke i hequr Laburistëve kontrollin e këshillit.

Analisti i njohur britanik i sondazheve, John Curtice deklaroi për BBC se rezultatet konfirmojnë fragmentimin e politikës britanike, duke theksuar se “Reform UK” po kryeson, megjithëse ende nuk ka arritur 30% të votës kombëtare. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram