Sunday, May 10, 2026
HomeEkonomiBletarët kërkojnë më shumë grante, Ministria premton mbështetje

Bletarët kërkojnë më shumë grante, Ministria premton mbështetje

Në një paketë të miratuar nga Ministria e Bujqësisë për mbështetjen e sektorit bujqësor, bletaria është pjesë e programeve të pagesave të drejtpërdrejta dhe zhvillimit rural. Mbështetja synon rritjen e prodhimit, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, duke përfshirë bletarët përmes subvencioneve të strukturuara. Zenel Hajrizi sjell detaje.

Pavarësisht se tash e dy dekada ka në pronësi rreth 250 koshere me bletë, Ismet Limani nga komuna e Novobërdës thotë se nuk ka përfituar mbështetje institucionale, përveç subvencioneve.

Përpjekjet përgjatë viteve të kaluara për të fituar grante kanë mbetur pa rezultat, duke e penguar të shtojë sasinë dhe cilësinë e mjaltit nga zonat ekologjike të vendit. Sipas tij, nga pushteti aktual nuk ka pasur asnjëherë mbështetje.

“Le t’i ndalin subvencionet dhe le të na përkrahin me grante. Le ta kontrollojnë, ma jep grantin, i kam 250 bletë, le të ma japin si grant. Atëherë le të ma ndalin subvencionin. Të më përkrahin me teknikë, me koshere, me centrifuga, me shkrirëse të diellit dhe me të gjitha pajisjet e nevojshme. Atëherë unë nuk kam nevojë të marr 25 euro për koshere”, tha për RTK bletari, Ismet Limani.

Me qëllim të rritjes së prodhimit vendor dhe zhvillimit të këtij sektori, Ministria e Bujqësisë, përveç mbështetjes së drejtpërdrejtë për çdo koshere bletësh, do të ofrojë edhe grante për modernizimin e fermave bletare, pajisje për vjeljen e mjaltit dhe përmirësimin e infrastrukturës. Këtë herë, procesi i aplikimit dhe pagesave është paralajmëruar se do të jetë më i përshpejtuar.

“Këtë herë, mbështetja do të jetë më e strukturuar për të arritur objektivat e Ministrisë së Bujqësisë. E rëndësishme është që ne do të kujdesemi që thirrja për këto aplikime të bëhet në afatin më të shpejtë dhe pagesat të realizohen në kohë rekorde”, tha Armend Muja, ministër i Bujqësisë në detyrë.

Jusuf Cikaqi, drejtor për Pagesa Direkte në MBPZHR  ka theksuar se “Do të vazhdohet edhe me dbështetjen për sektorin e bletarisë, ku subvencionimi do të jepet për çdo koshere që mbarështrohet nga fermerët tanë, në vlerë prej 20 eurosh për koshere”.

Mbështetja për bletarët në Kosovë, përveç subvencioneve dhe granteve shtetërore, po ofrohet edhe nga organizata ndërkombëtare, me fokus në rritjen e prodhimit dhe modernizimin e sektorit.

Ministria e Bujqësisë ka miratuar një program mbështetës për sektorin e bujqësisë, ku bletaria është pjesë e programeve të pagesave të drejtpërdrejta dhe zhvillimit rural, me synim rritjen e prodhimit, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë përmes subvencioneve të strukturuara.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram