Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka kërkuar nga qeveria mbështetje më të madhe për sektorin e bujqësisë, duke theksuar nevojën për subvencionim të plotë të zinxhirit të qumështit për të rritur konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
Ajo tha se sektori nuk po ndihmohet me politika konkrete dhe kërkoi që subvencionet të përfshijnë fermerët, përpunuesit dhe tregtarët.
“Qeveria duhet ta subvencionojë qumështin – krejt zinxhirin: fermerin, përpunuesin dhe tregtarin, deri në masën që qumështi vendor të bëhet konkurrues në treg në krahasim me atë të importuar”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas saj, diferenca në çmim mes qumështit vendor dhe atij të importuar nuk duhet të jetë më shumë se 20 centë për litër, në mënyrë që konsumatorët të zgjedhin produktet vendore.
Bajrami shtoi se masa të ngjashme duhet të zbatohen edhe për produkte të tjera bujqësore, derisa sektori të konsolidohet.

