Sunday, May 10, 2026
HomeLajmeKosovëLDK ngre shqetësime për sulm kibernetik dhe fushatë manipulimi digjital

LDK ngre shqetësime për sulm kibernetik dhe fushatë manipulimi digjital

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me, siç e ka quajtur, “sulmin e organizuar kibernetik” dhe “fushatën e koordinuar të manipulimit digjital” ndaj komunikimit publik të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe thirrjes së tij për “Tubimin e Bashkimit”.

Në reagimin e saj, LDK ka thënë se “brenda pak minutash, mijëra profile të dyshimta dhe llogari të automatizuara kanë ndërhyrë në mënyrë të sinkronizuar në platformat sociale”, duke pretenduar se bëhet fjalë për një përpjekje “për të deformuar perceptimin publik, për të ulur artificialisht besueshmërinë e komunikimit politik dhe për të krijuar atmosferë të rreme refuzimi e polarizimi”.

Sipas LDK-së, qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo “pritet të jetë një nga strategjitë kryesore të fushatës së ardhshme zgjedhore”, të cilën e ka përshkruar si “rrënim të kredibilitetit përmes manipulimit digjital, propagandës së organizuar dhe ndërhyrjeve hibride në opinionin publik”.

“Kjo nuk është më një garë normale politike. Kjo është një përpjekje për ta zëvendësuar debatin demokratik me operacione psikologjike e propagandistike në hapësirën digjitale”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Partia opozitare ka dënuar atë që e quan “ndërhyrje hibride”, duke theksuar se “vullneti qytetar nuk mund të manipulohet nga ushtri profilesh false, rrjete anonime apo mekanizma propagande”.

LDK ka deklaruar gjithashtu se Kosova “ka nevojë për zgjedhje të lira, debat të ndershëm dhe standard demokratik”, e jo, siç thuhet në reagim, “luftë hibride kundër mendimit të lirë dhe organizimit politik opozitar”.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram