Mungesa e një veture në dikasteret për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale në Fushë-Kosovë, ku kërkohet gatishmëri 24 orë në ditë, mbetet pengesë serioze për funksionimin e njërit prej sektorëve më të ndjeshëm të shërbimeve për qytetarët. Mosveprimi i shpejtë i Komunës për të siguruar vetura në dispozicion të përhershëm për punëtorët socialë rrezikon të pamundësojë reagimin e shpejtë në rastet më të ndjeshme.
Mungesa e një veture e sfidoi Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë, pasi nuk kishin mundësi t’i dërgonin tre fëmijë të mitur, që mbetën pa përkujdesje prindërore mëngjesin e së premtes.
Kjo situatë emergjente e fëmijëve pa kujdes prindëror nxori në pah problemet serioze me të cilat po përballet Qendra për Punë Sociale në Fushë Kosovë. Shkak u bë mungesa e një veture zyrtare, e cila do të mundësonte transportimin e tyre drejt strehimores.
“Në ora dy të mesnatës kemi pasur ftesë nga Policia. Tre fëmijë të moshës 17, 16 dhe 6-vjeçare kanë mbetur pa përkujdesje prindërore, sepse njerka ka qenë në vuajtje të dënimit, ngjashëm edhe babai i fëmijëve. Menaxheri i rastit ka bërë përpjekje për të gjetur një familjar të ngushtë në mënyrë që fëmijët të menaxhohen nga ai person. Ne sfidohemi për shkak të mungesës së një veture, sepse mendojmë se këta fëmijë duhet të shkojnë në strehimore”, tha Abaz Gjigolli – Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë.
Dikasteret komunale për shëndetësi, punë e mirëqenie sociale, nënvizojnë se mungesa e veturave në një sektor ku kërkohet gatishmëri 24 orë në ditë, mbetet pengesë serioze për funksionimin e njërit prej sektorëve më të ndjeshëm të shërbimeve për qytetarët.
“Përkundër faktit se aktualisht QPS-ja ka problem me vetura, Drejtoria ka ofruar mbështetje përmes nënshërbimeve dhe mjeteve në dispozicion sa herë që është paraqitur nevoja. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se kjo nuk është zgjidhje afatgjatë dhe Komuna ka dërguar kërkesë në Agjencinë Qendrore të Prokurimit për sigurim të veturave dhe është në pritje të përgjigjes”, deklaroi Albana Gashi – Drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
“Neve na dështojnë nganjëherë edhe seancat, neve edhe mund të penalizohemi me mos shkuarje në seanca, tre muajt e fundit ballafaqohemi me këtë sfidë të madhe, mungesa e veturave është e pashpjegueshme, neve na sfidon mjaft, gjitha janë sfida që është një udhëkryq i madh për menaxherët e rastit, që kanë punë edhe pas orës 12 të natës”, u shpreh Abaz Gjigolli – Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë.
Mosveprimi i shpejtë i Komunës për të siguruar vetura në dispozicion të përhershëm për punëtorët socialë, rrezikon të pamundësojë reagimin e shpejtë në rastet më të ndjeshme. E vonesat në trajtimin e tyre, përveç pasojave sociale, mund të prodhojnë edhe përgjegjësi ligjore e penale.

