Një person ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti trafiku që ka ndodhur në fshatin Lloqan të Deçanit.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 01:40, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor.
Në aksident ishte e përfshirë një veturë me targa vendore. Dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi veturën dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal anash saj.
Në njoftim thuhet se si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

