Kosova prezantohet për herë të parë si shtet partner në forumin “Future Industry Minds” në Gjermani
Kosova po prezantohet për herë të parë si shtet partner zyrtar në forumin ndërkombëtar të biznesit “Future Industry Minds”, që po mbahet në Bensberg të Gjermania.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum paraqet një hap të rëndësishëm në promovimin e potencialit ekonomik dhe mundësive investive të vendit.
Sipas saj, hapjen e forumit për bizneset nga Kosova dhe Gjermania do ta bëjë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në forum po marrin pjesë kompani kosovare nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë teknologjinë, industrinë, ndërtimin, prodhimin dhe shërbimet. Ndër kompanitë pjesëmarrëse janë ReachXCEL, Elektrostublla, Blendi Print, Hexaworld, Titan Sharrcem, Novus, Speeex, Arquail, Accountric LLC, Starlabs dhe Reach TEQ.
Gjatë dy ditëve të forumit, kompanitë kosovare do të zhvillojnë takime me përfaqësues të industrisë gjermane me synim krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kusari-Lila theksoi se partneritetet që mund të krijohen në kuadër të këtij forumi kanë potencial të sjellin rezultate konkrete për ekonominë e Kosovës dhe të forcojnë pozitën e vendit si partner ekonomik i besueshëm.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se do të marrë pjesë në një panel diskutimi për zhvillimin industrial dhe sfidat që lidhen me këtë sektor, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Siemens AG, Flaconi GmbH dhe BMZ-së.

