Sipas një njoftimi të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola po merr pjesë në punimet e Seminarit të Grupit Special për Mesdheun dhe Lindjen e Mesme (GSM) të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po zhvillohet në Parlamentin Italian në Romë.
Në këtë seminar, Republika e Kosovës përfaqësohet nga një delegacion i udhëhequr nga nënkryetari Gola, në përbërje të të cilit janë edhe zyrtarja e Lartë për Marrëdhënie Ndërkombëtare Shumëpalëshe në Kuvendin e Kosovës, Donika Bunjaku, si dhe këshilltari politik i Kryetares së Kuvendit, Glauk Tahiri.
Seminari ka mbledhur parlamentarë nga vendet anëtare të NATO dhe nga vendet partnere, për të diskutuar sfidat kryesore të sigurisë në Krahun Jugor të Aleancës, stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në rajonin e Sahelit.
Gjatë punimeve trajtohen tema si kërcënimet hibride dhe terrorizmi, siguria energjetike dhe detare në Mesdhe, si dhe bashkëpunimi ndërparlamentar në menaxhimin e krizave rajonale.
Sipas Kuvendit, pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në këtë forum ndërkombëtar rikonfirmon angazhimin e vendit në dialogun për paqe dhe siguri, si dhe aspiratat për integrim euro-atlantik dhe forcimin e rolit të tij si partner i besueshëm në stabilitetin rajonal dhe më gjerë.

