Përfaqësues nga 29 shtete marrin pjesë në samitin evropian të Shoqatës Evropiane të SPA-ve (ESPA), i cili po zhvillohet nga 11 deri më 13 maj në resortet bregdetare të Detit të Zi, “Zllatni Pjasëci” dhe “Shenjtor Konstantin dhe Elena”. Kjo u bë e ditur në një konferencë për shtyp nga presidentja e ESPA-s dhe kryetare e Bashkimit Bullgar të Balneologjisë dhe Turizmit SPA (BUBSPA), doc. dr. Sijka Kacarova, cituar nga BTA. Ajo saktësoi se fillimisht vendet pjesëmarrëse ishin 28, por mëngjesin e sotëm ka mbërritur edhe një përfaqësues nga Turqia. Në total, pjesëmarrësit në forum janë 200, prej të cilëve 100 janë të huaj, ndërsa 90% e tyre ndodhen për herë të parë në Bullgari. Kacarova theksoi se Bullgaria renditet ndër vendet lidere për sa i përket ujërave minerale dhe klimës kuruese. Ajo vuri në dukje se turizmi mjekësor u jep mundësi destinacioneve turistike sezonale të funksionojnë gjatë gjithë vitit, duke përmendur si shembull pozitiv resortet “Zllatni Pjasëci” dhe “Shenjtor Konstantin dhe Elena”.

