Plani Zhvillimor Komunal (PZHK) konsiderohet dokument kyç për zhvillimin afatgjatë të një qyteti dhe drejtimin e projekteve strategjike infrastrukturore e urbane.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerëson se miratimi i këtij plani është i domosdoshëm, duke theksuar se ai parasheh projekte të rëndësishme për kryeqytetin.
“Ne kemi Planin Zhvillimor Komunal, i cili është i gatshëm, por vetëm duhet të dalë në diskutim publik. Ai parasheh edhe unazën e kryeqytetit,” ka deklaruar Rama.
Megjithatë, PZHK ka nxitur debate dhe kundërshtime të vazhdueshme mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke pamundësuar arritjen e një konsensusi për miratimin e tij.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besart Krasniqi, thotë se plani është i rëndësishëm, por duhet të kalojë përmes procedurave të rregullta ligjore.
“PZHK është i rëndësishëm, ai duhet me kalu, por jo në fazën siç e ka projektuar kryetari Rama, por përmes procedurave ligjore,” u shpreh Krasniqi.
Ndërkohë, njohës të qeverisjes lokale vlerësojnë se miratimi formal i planit nuk është i mjaftueshëm, nëse ai nuk zbatohet në praktikë. Sipas tyre, mungesa e implementimit do të bëjë që dokumenti të mos ketë ndikim real në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Kjo është më e rëndësishmja se parandalon vendimet e çastit dhe punët pa rend. Për shembull pa plan punët bëhen aty-këtu dhe pa lidhje kronologjike mes tyre. Si përfundim Plani Zhvillimor është një proces që të zhvillohet më mirë drejt dhe me rend. Pa zbatim Plani është vetëm një dokument që nuk i ndihmon askujt”, ka thënë Valmir Ilazi, njohës i qeverisjes lokale.
PZHK, i cili është diskutuar në disa seanca të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ende nuk ka arritur të kalojë as fazën e diskutimit publik, duke mbetur kështu i pa finalizuar.

