Wednesday, May 13, 2026
HomeTurizëmEkspozita e ATSH-së në Kalanë e Tiranës, surprizë e mirëpritur nga turistët...

Ekspozita e ATSH-së në Kalanë e Tiranës, surprizë e mirëpritur nga turistët e huaj

ATSH/ Ekspozita “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e çelur më 9 maj në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), po tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët e vlerësojnë atë si një aktivitet me rëndësi për historinë dhe njohjen e zhvillimit të medias shqiptare ndër vite.

Vizitorë të shumtë janë shprehur entuaziastë nga materialet arkivore, fotografitë dhe pajisjet e ekspozuara.

Një qytetar shqiptar e cilësoi ekspozitën “tepër të veçantë”, duke theksuar nostalgjinë që përcjell për brezin që është rritur me ATSH-në.

“Komplimente, një ekspozitë tepër e veçantë. Ne, brezi jonë, jemi rritur me këto kujtime të ATSH-së. T’i prekësh nga afër gjithë këto kujtime, këto reportazhe është një kthim në kohë dhe një rifreskim i memories, shumë nostalgji dhe mbi të gjitha njerëzit që kanë kontribuar me dekada, është një atribut për ta”, tha ai.

Një vizitore nga Kanadaja, e ardhur nga Vankuveri, tha se kjo ishte vizita e saj e parë në Shqipëri, teksa shtoi se ka parë ekspozita dhe muzeume fantastike.

“Jam nga Vankuveri i Kanadasë. Kjo është hera jonë e parë në Shqipëri dhe na pëlqen. Kemi parë ekspozita dhe muzeume fantastike. Po mësojmë shumë rreth Shqipërisë, si është sot dhe historinë e saj. Është mbresëlënëse, na pëlqen shumë dhe patjetër do të rikthehemi”, tha ajo.

Ndërkohë, Eraldi, guidë turistike, tregoi një moment emocional të përjetuar gjatë vizitës së një zonje në ekspozitë.

“Takova një zonjë që pa veten në një fotografi të realizuar shumë vite më parë dhe më tha: “Unë jam ajo në foto”. Ishte një moment shumë interesant edhe për turistët që shoqëroja”, tregoi ai.

Interes për ekspozitën kanë shfaqur edhe një çift turistësh nga Polonia, të cilët e konsideruan atë një mundësi të mirë për të kuptuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë dhe transformimeve të saj ndër vite.

“Ne vijmë nga Polonia, jemi këtu për të ditur më shumë rreth historisë së Shqipërisë. Është mjaft interesante, për të ditur pak më shumë çfarë ka ndodhur këtu. Është mjaft moderne dhe është bukur të mësosh sesi ka qenë më parë. Kam vizituar edhe Serbinë, është shumë surprizuese për mua, se si Shqipëris është më moderne se Beogradi”, thanë ata.

Një tjetër turist e cilësoi ekspozitën si “një surprizë të bukur” në zonën e Kalasë së Tiranës.

“Ekspozita është një e papritur shumë e bukur në këtë zonë dyqanesh. Nuk prisja të gjeja një ekspozitë si kjo. Do të isha më tepër i interesuar në një formë më të gjatë teksti përshkrues, për të krijuar një lloj konteksti, siç krijon secila prej këtyre fotografive. Mendoj se do të ishte shumë më interesante të mësonim se si të gjitha fotografitë harmonizohen me njëra-tjetrën brenda një konteksti”, tha ai.

Ndërsa një vizitor tjetër theksoi rëndësinë e trashëgimisë mediatike dhe njohjes së historisë së lajmit shqiptar.

“Bëhet fjalë për trashëgiminë. Më pëlqen të shikoj si fillojnë gjërat dhe sesi zhvillohen, çfarë roli kanë luajtur dhe ndikimin e tyre në shoqëri. Pra, kur pashë këto makineri, doja të kuptoja se çfarë qëndron pas tyre. Sot, nëse unë shikoj një transmetues shqiptar, pyetjet janë se si e nisi, si u rrit. Dhe kjo ekspozitë tregon se sa shumë kanë ecur lajmet shqiptare. Pra, është shumë e rëndësishme të kuptosh historinë. Nëse nuk e njeh historinë, nuk mund ta kuptosh se sa progres kanë bërë lajmet shqiptare drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

Nga dokumentet e para të shtypit shqiptar te krijimi i ATSH-së si institucioni qendror i lajmit, ekspozita sjell fragmente të historisë së informacionit në Shqipëri përmes fotografive, dokumenteve dhe dëshmive arkivore që kanë shoqëruar momentet më të rëndësishme të vendit.

Pjesë e ekspozitës janë gjithashtu makinat e para të transmetimit, fotografitë bardhezi të dala nga laboratorët të ATSH-së, radiostacionet e hershme, buletinet, telegrafët dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit

.Ekspozita e hapur në bashkëpunim me DPA do të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim në ambientet e Kalaja e Tiranës.

Ekspozita e ATSH, Foto: Andrin Hoxha

1 nga 10

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram