Thursday, May 14, 2026
HomeLajmeKosovëKurti përkujton mbi 120 civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe...

Kurti përkujton mbi 120 civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar civilët shqiptarë të vrarë gjatë majit të vitit 1999 në disa zona të Kosovës, duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi mbi 120 civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan të Pejës më 14 maj 1999, kur forcat serbe sulmuan këto fshatra, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe më pas i ekzekutuan duke ua djegur trupat brenda shtëpive.

Ai rikujtoi edhe masakrën e Korishës të 13 majit 1999, ku u vranë 77 civilë, përfshirë 14 fëmijë, si dhe krime të tjera të kryera gjatë muajit maj në Nabërgjan të Pejës, Studime të Vushtrrisë, Bukosh të Suharekës, Saradran të Istogut, Carrabreg të Deçanit dhe në komunën e Gjakovës.

Sipas Kurtit, gjatë javëve të para të majit 1999, makineria ushtarake dhe policore e Serbisë po zbatonte projektin gjenocidal “Patkoi”, me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, bashkë me kryerësit dhe urdhërdhënësit e tyre, duhet të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se Kosova nuk mund të falë e as të harrojë krimet e kryera gjatë luftës nga shteti I Serbisë.

“ Kosova nuk mund të falë e as të harrojë krimet që shteti i Serbisë kreu gjatë luftës në Kosovë. Sepse Serbia e deshi tokën tonë pa neve. Por ne jemi ende këtu, dhe së bashku po e forcojmë Republikën tonë. Po ndërtojmë të ardhmen pa e harruar të kaluarën, që asnjë brez tjetër të mos rrezikojë të përjetojë atë që ne kemi mbijetuar”, ka shkruar ai.

Në fund të postimit, Kurti nderoi martirët dhe dëshmorët e kombit, duke theksuar se sakrifica për liri kujtohet çdo ditë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram