Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas mbledhjes së qeverisë, foli për vendimet dhe zhvillimet në sektorin e energjisë.
Ajo tha se Qeveria ka emëruar bordin e korporatës së re “Escorp”, e cila do të menaxhojë projektin e baterive për ruajtjen e energjisë me kapacitet 250 MWh, me mbështetjen e MCC-së. Sipas saj, bordi përbëhet nga profesionistë nga diaspora dhe Kosova dhe do të udhëheqë fazat e ardhshme të projektit, përfshirë krijimin e dokumenteve dhe rekrutimin e menaxhmentit.
Rizvanolli bëri të ditur se procesi i prokurimit për bateritë është në fazën finale, me ofertat që dorëzohen më 10 gusht, nënshkrimin e kontratës në tetor, fillimin e ndërtimit në qershor 2027 dhe funksionalizimin e projektit në shkurt 2029. Ajo shtoi se janë siguruar edhe dy parcela në Ferizaj dhe Istog për realizimin e projektit.
Në konferencë, ajo theksoi se Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur të mos rrisë tarifat e energjisë elektrike këtë vit, duke vlerësuar bashkëpunimin mes KEK-ut dhe KESCO-s. Po ashtu, hodhi poshtë pretendimet se rritje e tarifave do të ketë vitin e ardhshëm.
Rizvanolli theksoi se Kosova rrezikon të humbasë miliona euro si pasojë e mosmiratimit të ligjeve për energjinë.
“Sa i përket ndihmave të sektorit të energjisë dhe obligimeve të tjera që ndërlidhen me Ministrinë e Ekonomisë, unë mund të them shifrën e saktë është rreth 9.4 milionë që rrezikojmë t’i humbim si rrjedhojë e mosmiratimit të dy ligjeve për energjinë që i kishim në Kuvend Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjin për Energjinë. Kishte mundësi që këto ligje të miratoheshin. Ato ishin në Kuvend, i pari madje u miratua në lexim të parë, mirëpo kishte një organizim të jashtëzakonshëm të opozitës ditën e fundit, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe, që të votojnë kundër mocioneve për përshpejtim të procedurave. Rizvanolli tha se votimi kundër mocioneve në Kuvend ishte vendim me inate politike dhe se dëmi që u shkaktohet qytetarëve është i madh”, tha ajo.
“Ky ishte një vendim puro politik, i inatit politik. Nuk kishte të bëjë me përmbajtjen e ligjeve, mirëpo duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për dëmin që do t’i shkaktohet qytetarëve të Republikës së Kosovës, për vendin tonë, blloku opozitar vendosi që të bllokojë mocionet procedurale, megjithëse ne kishim votat për t’i kaluar ligjet si të tilla. Dhe t’ju them të drejtën, nuk ka pasur asnjë arsye përmbajtësore, pavarësisht çfarë është thënë në Kuvend atë ditë. Ju e keni parë se deputetët kanë qenë madje të opozitës aq të papërgatitur, sa që as për ligjin e duhur nuk flisnin, citonin komplet ligjin e gabuar duke thënë gjëra të cilat thjesht nuk janë të sakta pastaj. Dhe mua më vjen shumë keq që rrezikojmë përveç nëse arrijmë në ndonjë mënyrë të negociojmë shtyrjen e afateve për shkak të gjendjes ne do të humbim, vetëm sa i përket obligimeve të Ministrisë së Ekonomisë, 9.4 milionë euro të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për arsye se opozita vendosi ta vendosë inatin politik mbi interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

