Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në mesnatë, rreth orës 00:35, në një kafiteri në Zubin Potok është raportuar një sulm ndaj një personi.
Sipas policisë, viktima kishte lëndime në pjesën e ballit, që dyshohet se janë shkaktuar me një mjet të mprehtë, konkretisht një shishe qelqi. Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është intervistuar nga autoritetet.
Në vendin e ngjarjes është arrestuar edhe i dyshuari, i cili ishte nën ndikim të alkoolit.
“Pas kthjellimit, ai është intervistuar dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Policia theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e dhunës dhe u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë raste të ngjashme.

