Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shpallur sot konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, pas një mbledhjeje të shoqëruar me debate dhe përplasje mes anëtarëve të Këshillit.
Vendimi u miratua me pesë vota për, një kundër dhe asnjë abstenim. Konkursi do të jetë i hapur për 15 ditë pune.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka theksuar se pozita e Kryeprokurorit tash e një kohë të gjatë funksionon me ushtrues detyre dhe theksoi se kjo është e vetmja pozitë në sistemin prokurorial që kërkon dekret presidencial.
“Pa një dekret të Presidentit nuk mund të kemi Kryeprokuror të Shtetit”, ka theksuar Gashi.
E anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, kundërshtoi shpalljen e konkursit, duke deklaruar se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit është bllokuar qëllimisht prej katër vitesh dhe ngriti dyshime për ndikim nga pushtetet tjera.
“Do të krijohet një praktikë precedent i keq që të mos dekretohet Kryeprokurori i Shtetit vetëm pse nuk po i pëlqen emri”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkaq, anëtari tjetër i KPK-së, Visar Krasniqi, e konsideroi të pakuptimtë kundërshtimin për shpalljen e konkursit, duke theksuar se mungesa e Kryeprokurorit të Shtetit po krijon pengesa në funksionimin e sistemit prokurorial.
“Ka qenë kërkesë edhe nga partnerët që të shpallet ky konkurs”, ka thënë ai, duke shtuar se Këshilli duhet të vazhdojë me përmbushjen e përgjegjësive të veta.
Pas votimit, KPK vendosi edhe për përbërjen e panelit vlerësues për kandidatët. Paneli do të udhëhiqet nga Arian Gashi, ndërsa anëtarë do të jenë Visar Krasniqi dhe Elza Bajrami. Si anëtarë rezervë u caktuan Agron Qalaj dhe Arlinda Muqa.

