Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se punëtorët teknikë të shkollave në Komunën e Prishtinës, të cilët menaxhohen nga kompani private, kanë mbajtur sot një protestë njëorëshe, nga ora 11:00 deri në 12:00, për shkak të mos pagesës së pagave për muajin prill.
Në njoftim thuhet se, duke filluar nga nesër, punëtorët do të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre për pagesat e vonuara.
“Shumica e punëtorëve teknikë të shkollave në Komunën e Prishtinës, të cilët menaxhohen nga kompani private, sot më datë 18.05.2026, nga ora 11:00 deri në orën 12:00, kanë mbajtur protestë për shkak të mos pagesës së pagave për muajin prill. Po ashtu, duke filluar nga nesër, më datë 19.05.2026 në orët e mëngjesit, punëtorët do të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre lidhur me pagesat e vonuara”, thuhet në njoftim.
Sipas Federatës Sindikale, në shkollën SHFMU “Asim Vokshi”, drejtoria nuk ka lejuar punëtorët të prononcohen për media gjatë kohës së protestës.

