Delegacioni i Administratës Tatimore të Bosnjës dhe Hercegovinës ka zhvilluar një vizitë në Administratën Tatimore të Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në administrimin tatimor.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, së bashku me bashkëpunëtorë, priti delegacionin e përbërë nga Admir Omerbashiq, Sabahudin Ibrahimagić dhe Muamer Dautbegoviq.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e të dy administratave diskutuan për kornizën ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar tatimor, menaxhimin e mbledhjes së borxheve tatimore, si dhe digjitalizimin dhe zhvillimet teknologjike në ATK.
Në takime u prezantuan praktikat dhe përvojat institucionale të secilës administratë, me fokus në avancimin e proceseve tatimore, rritjen e efikasitetit operativ dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në administrimin tatimor.
Përfaqësuesit e ATK-së theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave rajonale dhe ndërtimit të partneriteteve profesionale, që kontribuojnë në modernizimin e administratave tatimore dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve.
Vizita u vlerësua si mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tatimore të Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës, si dhe për identifikimin e praktikave më të mira në administrimin tatimor dhe transformimin digjital.

