Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Handikos në Ferizaj, ku ka takuar stafin dhe përfituesit e shërbimeve të kësaj qendre, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për personat me aftësi të kufizuara.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla tha se mbështetja për këtë kategori nuk duhet të shihet si privilegj apo gjest simbolik, por si pjesë thelbësore e përgjegjësisë shtetërore dhe njerëzore.
Ajo bëri të ditur se gjatë vizitës është diskutuar për rëndësinë e mbështetjes për objektin e ri të Handikos Ferizaj, si dhe për nevojën që personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje më të mirë në shërbime rehabilituese, sociale dhe mbështetëse.
”Këto nuk duhet parë vetëm si shërbime, sepse këto janë mundësi për jetë më të dinjitetshme, më të barabartë dhe më të sigurt për shumë qytetarë tanë”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Shërbimin Sprovues Rajonal, duke theksuar se Handikos Ferizaj po jep kontribut të rëndësishëm në riintegrimin social dhe forcimin e qasjes rehabilituese në shoqëri.
“Shoqëritë e forta dallohen nga mënyra se si kujdesen për secilin qytetar të tyre. Prandaj, mbështetja për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet parë si privilegj apo si gjest simbolik, por si pjesë thelbësore e përgjegjësisë sonë shtetërore dhe njerëzore. Republika jonë forcohet atëherë kur çdo qytetar ndjehet i përfshirë, i respektuar dhe i mbështetur me dinjitet të plotë”, ka theksuar Gërvalla.

