Në kuadër të reformave për modernizimin e shërbimeve publike dhe rritjen e efikasitetit në tregun e punës, është prezantuar progresi në zhvillimin e platformës së re digjitale “ePunësimi”, e cila synon transformimin e mënyrës së ofrimit dhe qasjes në shërbimet e punësimit në Republikën e Kosovës.
Në punëtorinë me temën “Përmirësimi i Shërbimeve të Punësimit në Kosovë përmes Platformës Digjitale dhe proceseve të bazuara në evidenca”, u theksua se platforma “ePunësimi” përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të sistemit të punësimit dhe krijimit të një infrastrukture të unifikuar institucionale.
Ministri në detyrë i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, Andin Hoti tha se platforma ‘ePunësimi’ do të transformojë mënyrën se si qytetarët kërkojnë punë, bizneset gjejnë punëtorë dhe institucionet ofrojnë shërbime.
Sipas Hotit përmes platformës ‘ePunësimi’, punëkërkuesit do të mund të aplikojnë online, të ndërtojnë profile profesionale dhe të marrin mbështetje për zhvillimin e karrierës, punëdhënësit do të kenë qasje më të shpejtë dhe më efikase në menaxhimin e vendeve të lira të punës dhe identifikimin e kandidatëve adekuatë, derisa institucionet do të kenë një sistem të integruar dhe modern për ofrimin e shërbimeve publike.
“Një nga elementet kryesore të platformës është integrimi me institucionet relevante shtetërore, përfshirë Agjencinë e Regjistrit Civil, ATK-në, ARBK-në, Thesarin, eKosova dhe sisteme të tjera relevante, duke mundësuar automatizim të proceseve dhe rritje të besueshmërisë së të dhënave”, ka thënë Hoti.
Po ashtu, integrimi i platformave ekzistuese si SIMP, Superpuna, KGenU dhe ueb-faqes së APRK-së në një sistem unik digjital do të krijojë një qasje të centralizuar dhe më funksionale për qytetarët, bizneset dhe institucionet.

