Korça po përmendet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet më ekonomike dhe të pazbuluara për pushime në rajonin e Mesdheut gjatë vitit 2026, falë kombinimit të trashëgimisë historike, mikpritjes dhe kostove të ulëta, shkruan Robert Isenberg në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Islands”.
Mjafton një shëtitje në Korçë për të dalluar tiparet e një qyteti klasik mesdhetar: rrugë me kalldrëm, çati me tjegulla dhe lagje të vjetra me rrugica të ngushta.
Gjatë muajve të ngrohtë, banorët mblidhen në sheshe dhe shijojnë kafen nën hijen e çadrave, ndërsa në horizont shtrihen kodra me ngjyrë bronzi.
Pamja mund të të kujtojë rajone si Andaluzia, Toskana apo Thesali, por Korça ndodhet në Shqipëri, një nga vendet më të përballueshme për turistët në Mesdhe.
Korça shquhet për qendrën e vjetër dhe pazarin tradicional.
Edhe pse në periferi gjenden ndërtesa të larta banimi, të mbetura nga periudha e izolimit nën regjimin komunist, qendra ofron rrugica dhe dyqane tradicionale që pasqyrojnë trashëgiminë osmane.
Qyteti mbart një histori të pasur, nga objektet e kultit deri te muzetë e rëndësishëm.
Pavarësisht izolimit gjatë Luftës së Ftohtë, shqiptarët njihen për mikpritjen, të lidhur ngushtë me traditën e “besës”, ku pritja e të huajve shihet si detyrim moral.
Pushime me kosto të ulët
Shqipëria mbetet ndër vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë.
Edhe pse çmimet janë rritur vitet e fundit, një turist i vetëm mund të përballojë qëndrimin me rreth 50 dollarë në ditë.
Për krahasim, sipas vlerësimeve turistike, në Spanjë nevojiten të paktën 85 dollarë në ditë.
Cilat vende mund të vizitoni në Korçë?
Korça është ideale për shëtitje në këmbë.
Vendi më i njohur mbetet Pazari i Vjetër i Korçës, një treg shekullor i rrethuar nga ndërtesa guri.
Dyqanet dhe restorantet frekuentohen kryesisht nga turistët, por zona ruan atmosferën e kohës osmane.
Një kapuçino kushton rreth 2 dollarë, ndërsa një vakt tipik rreth 11 dollarë.
Bakshishi nuk është i detyrueshëm.
Për adhuruesit e artit, një nga pikat kryesore është Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, ku ekspozohen rreth 7,000 vepra shpirtërore të pesë shekujve të krishterimit ortodoks lindor.
Shumica janë ikona bizantine, me portrete shenjtorësh dhe figurash biblike. Hyrja kushton rreth 7 dollarë.
Vetëm 10 minuta larg muzeut ndodhet Katedralja “Ngjallja e Krishtit” e Korçës, me dy kulla elegante dhe një kupolë qendrore prej terrakote.
Edhe pse duket historike, katedralja është ndërtuar pas viteve ’90, pasi regjimi komunist shkatërroi kishën e vjetër të Shën Gjonit në vitin 1968.
Po aq e rëndësishme është edhe Xhamia e Iljaz bej Mirahorit – një xhami monumentale me një kupolë dhe minare guri, e ndërtuar në vitin 1496, e hapur falas për vizitorët.
Si arrihet dhe ku mund të qëndroni?
Edhe për standardet ballkanike, Korça konsiderohet larg rrugëve turistike tradicionale.
Aeroporti ndërkombëtar më i afërt është në Tiranë, mbi tre orë larg me makinë.
Marrja me qira e një automjeti është opsioni më praktik dhe një makinë bazë mund të kushtojë rreth 15 dollarë në ditë.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e Evropës, transporti publik në Shqipëri operohet kryesisht nga kompani private autobusësh.
Edhe pse Korça ka atmosferë mesdhetare, qyteti nuk ndodhet në bregdet.
Zona ujore më e afërt është Liqeni i Prespës, rreth 32 kilometra larg.
Liqeni është i rrethuar nga male dhe ndahet mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke ofruar pamje panoramike dhe mundësi për not.
Klima është më e përshtatshme gjatë pranverës dhe verës, kur rajoni shfaq më shumë karakter mesdhetar.
Dimrat janë të ashpër dhe të ftohtë, por qyteti fiton një tjetër bukuri me borën dhe dekorimet festive.
Korça ofron dhjetëra hotele dhe bujtina, me dhoma që mund të rezervohen për më pak se 50 dollarë nata.
Qyteti është kompakt dhe i përshtatshëm për ecje, ndaj shumica e akomodimeve janë pranë atraksioneve.
Taksitë janë të zakonshme dhe shumë prej tyre elektrike.
Një udhëtim brenda qytetit kushton mes 5 dhe 10 dollarëve. Ndërkohë, shërbime si “Uber”dhe “Lyft” nuk operojnë në Shqipëri.
Rajoni është gjithashtu i njohur për turet me biçikletë, një mënyrë efikase për të eksploruar qytetin dhe zonat përreth, duke pasur kujdes nga trafiku rrugor.
Për shumë vizitorë, Korça po shihet jo vetëm si destinacion pushimesh, por edhe si një prej “thesareve të fshehura” të Evropës për qëndrim afatgjatë, falë sigurisë dhe kostos së ulët të jetesës. /atsh

