Wednesday, May 20, 2026
HomeKulturëKurti: Letërsia mbetet themel i mendimit dhe kujtesës sonë

Kurti: Letërsia mbetet themel i mendimit dhe kujtesës sonë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së “Titullit Mbarëkombëtar Çmimi `Jakov Xoxa në Letra`” për edicionin 2025–2026, ku fitues u shpall shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu.

Çmimi ndahet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Tiranë dhe synon të vlerësojë krijimtarinë dhe kontributin në letërsinë shqipe.

Në ceremoninë ku morën pjesë figura të kulturës, letërsisë dhe institucioneve, Kurti mbajti një fjalim për rëndësinë e letërsisë në shoqëri, duke theksuar se ajo mbetet një nga format më të rëndësishme të ruajtjes së mendimit, kujtesës dhe identitetit kulturor.

“Sot, kur mendimi ndërpritet vazhdimisht dhe përqendrimi është bërë një ndër gjërat më të brishta të kohës sonë, letërsia mbetet një nga format e rralla që i reziston shpërbërjes së vëmendjes”, tha Kurti.

Ai u shpreh se letërsia nuk prodhohet për konsum të çastit dhe nuk funksionon me logjikën e të menjëhershmes, por mbetet themelore sepse ndihmon në kuptimin më të thellë të përvojës njerëzore.

Kurti tha se përmes letërsisë ruhet përvoja mendore dhe njerëzore e grumbulluar ndër shekuj, duke shtuar se ajo është ndër të paktat hapësira ku koha nuk zhduket, por vazhdon të jetojë.

Duke folur për letërsinë shqipe, ai theksoi se ajo ka luajtur rol të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e identitetit kulturor, por edhe në zgjerimin e vetë shqipes si gjuhë e dijes dhe mendimit.

Një pjesë të veçantë të fjalimit të tij, kryeministri në detyrë ia kushtoi shkrimtarit Jakov Xoxa dhe veprës së tij letrare. Sipas Kurtit, Xoxa e ka bërë gjuhën shqipe “fuqi linguistike”, duke përdorur një pasuri të madhe leksikore dhe duke ndërtuar një univers letrar të mbështetur mbi realitetin shqiptar, kujtesën kolektive dhe marrëdhëniet njerëzore.

Ai u ndal veçanërisht te romani “Lumi i Vdekur”, të cilin e cilësoi si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe.

“Titulli vetë është një përmbysje kuptimore e fuqishme: lumi, si simbol i lëvizjes dhe jetës, shpallet i vdekur, ndërsa gjuha që e përshkruan mbetet jashtëzakonisht e gjallë”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, romani vazhdon të ketë peshë edhe sot, dekada pas botimit të parë në vitin 1961, sepse vazhdon të prodhojë kuptim dhe të ndikojë në mënyrën se si shqiptarët e kuptojnë historinë dhe identitetin e tyre.

Kurti përmendi edhe ndikimin që romani ka pasur në jetën shoqërore dhe emocionale të shqiptarëve, duke e lidhur dashurinë mes personazheve Adil dhe Vita me përjetimet e shumë brezave në Kosovë dhe Shqipëri.

Ai tha se “Lumi i Vdekur” ka edhe rëndësi politike e kombëtare, pasi sipas tij ka ndihmuar në thyerjen simbolike të kufijve që ndanë shqiptarët ndër vite.

“‘Lumi i Vdekur’ e ka një peshë të madhe politike për kombin shqiptar dhe është i domosdoshëm të mësohet aty ku mbulohen letërsia dhe historia”, u shpreh Kurti.

Në fund të fjalës së tij, ai tha se punët madhore frymëzojnë projekte madhore dhe falënderoi organizatorët për kontributin në promovimin e librit, kulturës dhe letërsisë shqipe.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram