Një person është ndaluar për 48 orë në Pejë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Materialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, arrestimi i të dyshuarit me inicialet A.B. është bërë në koordinim me Policia e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Luftimin e Krimeve Kibernetike, pas një pune intensive hetimore.
Gjatë realizimit të operacionit janë sekuestruar edhe pajisje elektronike, për të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.
“Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, veçanërisht veprave penale që cenojnë integritetin dhe sigurinë e fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, në koordinim me Policinë e Kosovës, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.

