Katër persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në qarkoren Radishan–Prishtinë–Mirkovcë në Maqedoninë e Veriut, ku janë përfshirë një veturë e tipit BMW dhe një kamion me targa të Kosovës.
Sipas raportimeve të mediave lokale, përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme, ndërsa menjëherë pas goditjes vetura BMW është përfshirë nga flakët. Si pasojë, katër personat që ndodheshin brenda automjetit kanë humbur jetën në vendngjarje.
“Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjeti BMW të përfshihet menjëherë nga flakët. Katër personat që ndodheshin brenda veturës nuk kanë arritur të shpëtojnë”, raporton Alsat.
Nga goditja e fuqishme, edhe kamioni me targa të Kosovës ka dalë jashtë rrugës, duke përfunduar pranë anës së qarkores.
“Ende nuk ka të dhëna të plota lidhur me gjendjen e drejtuesit të kamionit apo identitetin e viktimave”, thuhet në raportimet fillestare nga vendi i ngjarjes.
Në vendngjarje kanë dalë njësi të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.

Ende mbetet e paqartë nëse në automjet po udhëtonte një familje apo një grup personash, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që mes viktimave të ketë pasur edhe fëmijë. Pikërisht për shkak të gjendjes së rëndë të automjetit të djegur, ekspertiza pritet të zgjasë më shumë se zakonisht. Sipas të dhënave jozyrtare policore, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga drejtuesi i kamionit, i cili për shkak të lodhjes dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka dalë në korsinë e kundërt, në momentin kur nga ana tjetër po vinte vetura BMW.
Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, duke bërë që automjeti të përfshihej menjëherë nga flakët. Nga makina ka mbetur vetëm skeleti metalik, ndërsa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të hetimeve intensive që po zhvillohen nga policia, prokuroria dhe ekipet e mjekësisë ligjore.
Në vendngjarje vazhdojnë të qëndrojnë forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe emergjente, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një version zyrtar vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve të plota. /

