Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ditëve të fundit shumë qytetarë kanë pranuar mesazhe (SMS) mashtruese, të cilat paraqiten kinse janë dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me shkelje të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Në këto mesazhe përfshihen edhe vegëza (links) për klikim, të cilat janë mashtruese dhe kanë për qëllim keqpërdorimin e të dhënave personale apo financiare të qytetarëve. Këto mesazhe nuk janë reale dhe përbëjnë tentativë mashtrimi (phishing), andaj ftojmë qytetarët që t’i injorojnë, të mos klikojnë në vegëzat e dërguara në këto mesazhe dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare.
Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se kompetencat për shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik i takojnë Policisë së Kosovës dhe jo Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për më tepër, Ministria e Punëve të Brendshme e as Policia e Kosovës nuk dërgojnë SMS për shkelje eventuale në trafik dhe as nuk kërkojnë pagesa përmes vegëzave (links) të dërguara me mesazh.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në informimin e drejt dhe mbrojtjen e qytetarëve nga format e ndryshme të mashtrimeve kibernetike.

