Saturday, May 23, 2026
HomeEkonomiOda Amerikane: Masat e përkohshme financiare nuk sjellin zhvillim

Oda Amerikane: Masat e përkohshme financiare nuk sjellin zhvillim

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e varësisë nga masat e njëhershme të mbështetjes financiare si përgjigje ndaj sfidave ekonomike dhe presioneve inflacioniste në vend.

Përmes një komunikate për media, Oda vlerësoi se megjithëse mbështetja për kategoritë e cenueshme dhe ruajtja e fuqisë blerëse të qytetarëve mbeten objektiva të rëndësishme, masat e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë problemet strukturore të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas Odës Ekonomike Amerikane, politikat që fokusohen kryesisht në stimulimin e konsumit afatshkurtër kanë ndikim të kufizuar në ekonomi, veçanërisht në një vend si Kosova, ku një pjesë e madhe e konsumit përkthehet në rritje të importeve dhe jo në zhvillim të prodhimit vendor apo investimeve.

Tutje, në komunikatë theksohet se këto masa kufizojnë edhe disponueshmërinë e fondeve publike për projekte dhe iniciativa me ndikim më të madh ekonomik dhe përfitime afatgjata për qytetarët dhe bizneset.

Oda ka bërë thirrje që fokusi institucional të zhvendoset drejt investimeve strategjike në infrastrukturë dhe politikave që forcojnë sektorin privat. Sipas saj, investimet në transport, energji, infrastrukturë digjitale, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore krijojnë kushte më të favorshme për rritjen e bizneseve dhe produktivitetit.

Në reagim thuhet gjithashtu se fuqizimi i sektorit privat sjell ndikim më të qëndrueshëm në ekonomi, duke gjeneruar vende të reja pune, rritje graduale të pagave dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ritheksoi se prosperiteti afatgjatë mund të arrihet vetëm përmes politikave që forcojnë bazat ekonomike, rrisin konkurrueshmërinë dhe krijojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram