Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar raportin përmbledhës të 100 ditëve të punës, prej kur e ka marrë detyrën e ministres.
Ajo tha se gjatë kësaj periudhe kanë mbështetur prodhimin vendor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe krijimin e kushteve për investitorët.
“100 ditët e para në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit janë karakterizuar nga reforma konkrete, partneritete strategjike dhe hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar intensivisht në avancimin e legjislacionit ekonomik, mbështetjen e prodhimit vendor, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe investitorët”, tha ajo.
Sipas saj, në fushën e reformave dhe politikave zhvillimore, kemi arritur ratifikimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me EFTA-n, si dhe ratifikimin e protokolleve 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve dhe zgjidhjen e kontesteve. Gjithashtu, është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në rast krizash ekonomike, ndërsa në Qeveri është miratuar Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
“Kemi dorëzuar për miratim Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare dhe kemi filluar procedurat për krijimin e Agjencisë së Re për Ndërmarrësi. Paralelisht, janë hartuar projektligje të rëndësishme për tregtinë e brendshme, shoqëritë tregtare, mbrojtjen e konsumatorit dhe zejtarinë. Në kuadër të zhvillimit industrial dhe investimeve, kemi funksionalizuar Këshillin për Zhvillim Industrial dhe kemi filluar modelimin e parqeve industriale sipas klasterëve industrialë. Është finalizuar studimi për parqet industriale të gjelbra, ndërsa kemi arritur marrëveshje në parim me Bankën Botërore dhe IFC-në për parkun e parë të gjelbër në Gjakovë. Në kuadër të kësaj, në Qeveri kemi miratuar edhe vendimin për shpronësimin e ish-pronave shoqërore të “Virxhinias” dhe “Metalikut”, për ndërtimin e zonës së biznesit atje”, tha ajo.
Po ashtu, sipas saj janë vendosur gurthemelin e Parkut Industrial në Frashër të Mitrovicës dhe kemi siguruar mbi 30 milionë euro investime për zhvillimin e parqeve industriale dhe janë nënshkruar marrëveshje për zhvillimin e parqeve industriale në Mitrovicë, Lipjan, Drenas, Podujevë dhe Shtime, ndërsa kemi filluar përgatitjet edhe për Parkun Industrial në Gjilan.
“Në mbështetje të sektorit privat, kemi ofruar mbështetje direkte për 54 biznese përmes skemave të granteve, duke përfshirë digjitalizimin, inovacionin, certifikimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Gjithashtu, kemi hartuar skema të reja për gratë në biznes, teknologji, industri kreative dhe energji të ripërtëritshme. Për gratë në biznes do të themelohet edhe një divizion i veçantë pranë Agjencisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion. Për të promovuar eksportin dhe produktet vendore, kemi mbështetur 55 ndërmarrje në 7 panaire ndërkombëtare në Gjermani, Francë, Zvicër, Turqi dhe Itali, ndërsa janë promovuar mbi 1100 produkte “Made in Kosova””, tha Kusari-Lila.
Në fushën e diplomacisë ekonomike, janë pritur në Kosovë Ministrin e Tregtisë së Turqisë, Ömer Bolat, kemi përfaqësuar Kosovën në konferenca ndërkombëtare në Kanada, Zvicër dhe Gjermani, si dhe kemi organizuar Ditën e Biznesit të Kosovës në Holandë. Për herë të parë kemi mbajtur edhe takimin e Agro Biznesit Kosovë–Itali.
“Kemi zgjeruar bashkëpunimin me odat ekonomike dhe partnerët ndërkombëtarë. Në mbrojtje të konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tregut, kemi vendosur marzhën e fitimit dhe çmimin maksimal për derivatet e naftës, kemi rritur për 35% inspektimet dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve, si dhe kemi fuqizuar Inspektoratin Qendror të Tregut me 34 inspektorë shtesë. Një fokus i veçantë i është kushtuar edhe digjitalizimit dhe reformave institucionale, përmes modernizimit të sistemeve digjitale të ministrisë, avancimit të reformës së ARBK-së, rikthimit të funksionalitetit të sistemit DMK dhe finalizimit të aplikacionit “Blej Sigurt”. Në kuadër të integrimit evropian, kemi finalizuar Planin Kombëtar për Integrim Evropian 2026–2030 dhe kemi avancuar integrimin e Kosovës në infrastrukturën evropiane të cilësisë përmes CEN, CENELEC dhe EA. Këto 100 ditë kanë qenë intensive për zhvillim ekonomik, forcim të sektorit privat dhe krijim të mundësive të reja për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, me vizion të qartë dhe bashkëpunim të ngushtë me bizneset, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, për ta bërë Kosovën një ekonomi më konkurruese, më prodhuese dhe më të integruar në tregjet evropiane dhe globale”, tha Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.

