Policia në Gjermani ka gjetur trupin e një burri 51-vjeçar me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina, zhdukja e të cilit në fillim të majit u raportua si rrëmbim, shkruan Hercegovina info.
Sipas gazetës Berliner Zeitung, burri është Ismet K. , një biznesmen nga Bosnja dhe Hercegovina. Trupi i tij u gjet në një zonë pyjore pranë Potsdamit, më shumë se 50 kilometra larg Berlinit.
Mediat gjermane raportojnë se trupi u gjet duke përdorur sinjalet GPS nga telefoni i tij celular. Ai ishte varrosur më shumë se një metër nën tokë.Sipas informacioneve jozyrtare, burri vdiq nga plagët e rënda në qafë dhe kokë.
Gazeta “Berliner Zeitung” shkruan se familja nuk është kontaktuar nga rrëmbyesit që nga zhdukja e tij, dhe as nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për shpërblim, prandaj dyshohet se motivi nuk ka qenë përfitimi financiar.
Policia ende nuk ka bërë asnjë deklaratë publike në lidhje me detajet e rastit, ndërsa zyra e prokurorit në Berlin ka njoftuar një konferencë për shtyp në fillim të javës. Autorët e krimit janë ende në kërkim, shkruan Hercegovina info.

