Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka dënuar ashpër sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke bërë të ditur se gjatë bombardimeve është goditur edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev.
Në një reagim publik në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme”, ndërsa theksoi se sulmi ka vënë në rrezik jetën e diplomatëve shqiptarë në Ukrainë.
Sipas tij, goditja ndaj zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë një përshkallëzim serioz të konfliktit dhe një tjetër dëshmi të pasojave njerëzore të luftës që po zhvillohet në Ukrainë.
Shefi i diplomacisë shqiptare ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve dhe rikthimin e palëve në negociata.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë është thirrur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të dhënë shpjegime lidhur me incidentin.
Në deklaratën e tij, Hoxha nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukraina, ndërsa kërkoi që përgjegjësit për sulmet ndaj civilëve të mbahen përgjegjës.

