Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut në seancën e sotme të rregullt e ka miratuar një pikë shtesë të rendit të ditës, me të cilën propozohet heqja e Instalacionit “E dua Mitrovicën”, e cila ishte vendosur nga administrata e mëparshme komunale e drejtuar nga Erden Atiq, në fillim të tetorit të vitit të kaluar, pas heqjes së mëparshme të shenjës në cirilik “E dua K. Mitrovicën”.
Sipas medieve lokale, kjo pikë ishte vendosur në rend dite me kërkesë të asamblistëve të Listës Serbe.
Megjithëse fillimisht ishin kundër përfshirjes së kësaj pike në rendin e ditës, asamblistët e iniciativës “Sever za Sve”, Marko Jakshiq dhe Ivan Miletiq, si dhe Ivan Orlloviq nga “Srpska Demokratija”, me arsyetimin se kjo çështje nuk ishte përfshirë në materialet e shpërndara, megjithatë në fund votuan pro miratimit të vendimit.
Në total, 12 asamblistë votuan për, ndërsa kundër ishin Aida Ferati Doli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emir Azemi nga radhët e PDK-së.

