Friday, June 19, 2026
HomeLajmeKosovëIKD: Institucionet përgjegjëse për ngecjen e reformës në sundimin e ligjit

IKD: Institucionet përgjegjëse për ngecjen e reformës në sundimin e ligjit

Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 ka shënuar progres të kufizuar, me mungesë koordinimi, vonesa dhe planifikim të dobët institucional.

Sipas raportit “Reforma në ngërç”, sfida të shumta vazhdojnë ta përcjellin sistemin gjyqësor dhe prokurorial, derisa kërkohet plan urgjent për përshpejtimin e reformave pas konstituimit të institucioneve të reja.

“Me keqardhje ju them se ky raport e thotë të kundërtën. Dhe kjo unë besoj se është mosrespekt në radhë të parë ndaj partnerëve ndërkombëtarë të cilët kanë investuar me dhjetëra miliona euro në rishikim funksional sikur sundimi i ligjit, kam qenë pjesë e këtij rishikimi prej fillimit dhe kur ka filluar në vitin 2016-17, atëherë ka qenë ndër kampanjat më të rëndësishme që Republika e Kosovës ka bërë prej çlirimit, madje pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.

 “Siç edhe e paraqet titulli ‘Reforma në ngërç’, reflekton gjendjen aktuale të kësaj reforme në sundimin e ligjit në Kosovë. Një reformë që fillon me pritje të mëdha, por që sot pothuajse pas 5 vite të miratimit të saj, vazhdon të përballet me vonesa, mungesë koordinimi, riplanifikim të dobët dhe progres të kufizuar në zbatim”, ka thënë Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në IKD.

Kurse Arjeta Sadiku, zv/kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se për Këshillin Gjyqësor ruajtja e pavarësisë institucionale të gjyqësorit dhe shmangia e çdo ndikimi mbetet parakusht për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.

 “Një ndër sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohemi në vazhdimësi është numri i mangët, i ulët I prokurorëve, kjo është një çështje reale dhe e përditshme për sistemin prokurorial e që paraqet një sfidë strukturore që ndërlidhet me buxhetin dhe ndikon drejtpërsëdrejti në efikasitetin e sistemit prokurorial. kohët e fundit është rritur numri i gjyqtarëve, ndërsa numri i prokurorëve nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm duke krijuar një disproporcion mes këtyre dy komponentëve kyç të drejtësisë”, ka thënë. Arian Gashi, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas raportit, në sistemin gjyqësor dhe prokurorial janë evidentuar vonesa në reformën ligjore, transparencën dhe efikasitetin procedural, ndërsa në drejtësinë penale progresi ka qenë më I kufizuar në fushat që ndërlidhen me drejtësinë për të mitur, konfiskimin e pasurisë dhe mekanizmat e koordinimit institucional.

Me këtë rast, IKD rekomandon që pas zgjedhjeve dhe konstituimit të institucioneve, të hartohet një plan përshpejtues për realizimin e aktiviteteve të mbetura nga 2025-ta.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram