Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet Z.M. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, lidhur me një rast në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ku dyshohet se është shkaktuar dëm në buxhetin e Kosovës duke lejuar përfitime pagash pa prezencë në punë.
Sipas aktakuzës, Z.M., nga janari 2019 deri në fund të vitit 2023, në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Administratës dhe Shërbimeve Ndihmëse në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij si mbikëqyrës.
Tutje thuhet se, edhe pse ka qenë i njoftuar për mungesat në punë të punëtorit Xh.Z., nuk ka iniciuar procedurë disiplinore, duke i mundësuar atij të përfitojë pagë bruto në vlerë prej 21,473.42 euro pa u paraqitur në punë gjatë periudhës 2019–2023, me ç’rast është shkaktuar dëm material në buxhetin e Kosovës.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.

