Me 6 vota për, 1 votë kundër dhe 2 abstenime, Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur, të hënën, ka miratuar propozimin e ushtrueses së detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu për emërimin e Rilind Gërvallës në pozitën e drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK për edicionin e IV-të, i cili do të organizohet gjatë vitit 2026.
Në këtë mbledhje u trajtuan po ashtu çështje me rëndësi për funksionimin financiar dhe programor të RTK-së. Bordi shqyrtoi gjendjen financiare të RTK-së, masat e ndërmarra nga menaxhmenti dhe ndikimin e tyre në funksionimin e institucionit.
“Bordi i RTK-së i dha mbështetje të plotë Ushtrueses së Detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme për angazhimet institucionale drejt gjetjes së zgjidhjeve për tejkalimin e situatës aktuale financiare deri në konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, Bordi shqyrtoi raportin mujor të punës për muajin prill 2026, të gjeturat nga Raporti i Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025 dhe planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve”, thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së, i cili rithekson se mbetet i përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit institucional dhe funksionimit të transmetuesit publik.

