Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë që të promovojnë një diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave.
“Në prag të fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore, BE-ja në Kosovë u bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve të Kosovës, që marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të promovojnë një diskurs politik të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet seksiste apo mizogjene ndaj grave, duke përfshirë shpërndarjen përmes mediave sociale dhe platformave online”, thuhet në postimin e Zyrës së BE-së.
Në reagimin e publikuar në prag të fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore, BE-ja në Kosovë ka theksuar se gratë duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe të barabartë, si offline ashtu edhe online.
Po ashtu, është theksuar se barazia gjinore, dinjiteti njerëzor dhe demokracia janë vlera themelore të Bashkimit Evropian dhe elemente thelbësore për zgjedhje të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.

