Wednesday, May 27, 2026
HomeLajmeMijëra besimtarë falin namazin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë

Mijëra besimtarë falin namazin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën që simbolizon sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s.

Në të gjithë Shqipërinë, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.

Në Tiranë, qindra besimtarë myslimanë falën Namazin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në kryeqytet, programi i Kurban Bajramit nisi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi Enes Hyka, duke i dhënë një atmosferë të thellë shpirtërore këtij momenti të veçantë.

Ndërsa më pas kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu mbajti fjalën përshëndetëse duke u uruar besimtarëve festën e Kurban Bajramit.

“Kjo festë i fton njerëzit të reflektojnë më shumë për njëri-tjetrin, të jenë më pranë familjeve, të moshuarve, njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemre që ka nevojë për mbështetje e shpresë. Kurbani nuk është vetëm një ritual fetar, ai është një akt solidariteti, ndarje dhe kujdesi për tjetrin”, tha Spahiu.

Programi kulmoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit, ku mijëra besimtarëve të mbledhur në bulevard u priu kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.

Në përfundim të ceremonisë besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta të kësaj dite të mbushur me paqe, dashuri, solidaritet dhe sakrificë.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabesë, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të Madh konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Mishi ndahet mes pjesëtarëve të familjes, mes miqve dhe i dhurohet të varfërve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram