Thursday, May 28, 2026
HomeLajmeBotëGruaja e Bidenit: Mendova se Joe po pësonte goditje në tru...

Gruaja e Bidenit: Mendova se Joe po pësonte goditje në tru gjatë debatit me Trumpin

Ish-zonja e parë e SHBA-së, Jill Biden, ka zbardhur se mendonte se bashkëshorti i saj, presidenti i atëhershëm Joe Biden, po pësonte një goditje në tru gjatë debatit famëkeq presidencial të vitit 2024. Për shkak të performancës së tij të dobët kundër kandidatit republikan Donald Trump, Biden u përball me presion të fortë brenda Partisë Demokratike për t’u tërhequr nga gara presidenciale, gjë që ai përfundimisht e bëri, shkruan BBC .

“Isha e tmerruar sepse nuk e kisha parë kurrë Joe-n në atë mënyrë më parë apo që atëherë. Kurrë”, tha Jill Biden për CBS News. “Nuk e di çfarë ndodhi. Ndërsa e shikoja, mendova, ‘O Zot, po pëson goditje në tru’. Më tmerroi pa masë.”

Intervista e ish-zonjës së parë me CBS do të transmetohet këtë të diel. Jill Biden ka qenë në krah të bashkëshortit të saj për dekada të tëra, që nga ditët e tij si senator nga Delaware deri në presidencën e tij. Ajo konsiderohej si një nga këshilltaret e tij më me ndikim dhe ndër ata që në fund e inkurajuan atë të tërhiqej nga gara në vitin 2024.

Një performancë tragjike në debat

Pas debatit të qershorit 2024, vetëm disa muaj para zgjedhjeve presidenciale, demokratët ishin të shqetësuar për performancën e pasigurt të presidentit. Pavarësisht kësaj, fushata e Biden këmbënguli në atë kohë se ai nuk do të tërhiqej nga gara dhe do të përballej përsëri me Donald Trump.

Gjatë debatit, në të cilin të dy po kërkonin një mandat të dytë, Biden dhe Trump u përplasën për çështje kyçe si imigracioni, ekonomia dhe të drejtat e abortit. Por “nisja e ngadaltë” e Bidenit, siç e quajti zëvendëspresidentja e tij e atëhershme Kamala Harris, shqetësoi udhëheqjen e partisë.

Biden kishte një zë të ngjirur, të cilin ekipi i tij ia atribuoi sëmundjes, dhe në një moment ai dukej sikur kishte humbur rrjedhën e mendimit. Shqetësimet e votuesve në lidhje me shëndetin, mprehtësinë mendore dhe moshën e tij – ai ishte 81 vjeç në atë kohë – tashmë kishin një peshë të madhe përpara debatit.

https://youtube.com/watch?v=Vq0G1TMCw4Y%3Fsi%3Da768UX2mX_Jt5s0f

Harris tërhiqet nga gara dhe humbet

Analistët në shumicën e mediave kryesore amerikane e kanë kritikuar ashpër presidentin, duke shprehur dyshime për aftësinë e tij për të kryer detyrat e tij, si dhe për perspektivat e tij në zgjedhjet e nëntorit 2024. Fillimisht u konsiderua e pamundur që presidenti në detyrë të zëvendësohej si kandidat i partisë vetëm disa muaj para zgjedhjeve, pasi procesi i ndërlikuar i përzgjedhjes së një kandidati të ri u konsiderua si një rrezik shumë i madh.

Megjithatë, një performancë e dobët në debat, së bashku me gafat në samitin e NATO-s në javët që pasuan dhe një paraqitje e dobët pasi u diagnostikua me COVID, përfundimisht i dhanë fund kandidaturës së tij. Harris siguroi nominimin demokrat rreth tre muaj para zgjedhjeve, por në fund humbi ndaj Trump.

Pas humbjes në zgjedhje, Harris e kritikoi ish-shefen në kujtimet e saj, duke e quajtur vendimin e Bidenit për të kandiduar për një mandat të dytë “të pamatur”.

“‘Është vendimi i Joe-t dhe Jill-it.’ Ne të gjithë e vazhdonim ta përsërisnim, si një mantër, sikur të ishim të hipnotizuar,” shkroi Harris. “A ishte hir apo pakujdesi? Duke parë prapa, mendoj se ishte pakujdesi.”

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram