Lëvizja Vetëvendosje ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit, në qytetin e Ferizajt.
Në Qytetin e Ferizajt , kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, kërkoi mbështetjen e qytetarëve për transformimin siç e quajti më të madh ekonomik dhe energjetik të Kosovës.
Ai premtoi së paku 1 miliard euro shpenzime kapitale në vit, 1 miliard për prodhimtarinë dhe 1 miliard për Ushtrinë.
“Gjatë këtij mandati që lamë pas kemi punuar për nënat, fëmijët e veriun, e mandatin e ardhshëm kërkojmë mbështetje për transformimin më te madh ekonomik e energjetik, KEK, Trepçën, stadiume, hotele të mëdha me pista skijimi, çdo vit së paku 1 miliard euro shpenzime kapitale dhe do ti kemi 1 miliard euro për prodhimtarinë dhe 1 miliard euro për ushtrinë. Me 1 miliard euro blerje të armatimit dhe pajisjeve ushtarakë do t’ia bashkangjesim edhe fabrikën e dronve, municionit dhe trajnime për verë e dimër ku do të kenë pajisje nga çizmet deri te armët. Rritjen ekonomike e kemi 4% e prandaj edhe mund të shpërndajmë mjete”, ka thënë Kurti.
Kurti në këtë qytet premtoi edhe vazhdimin e ndërtimit të spitalit në Ferizaj e Prizren, pajisjen e çdo spitali në vend me CT, për identifikim të sëmundjeve dhe investime në bujqësi.
“Do të krijojmë skemën për mbrojtjen e fermerëve nga dëmi i fatkeqësive natyrore, tani fermeri s’ka nevojë të pres për vlerësim të dëmeve. Për të garantuar furnizim me ujë do të ndërtohen 5 rezervar të ujit, hidrocentrale. Në fshatra tona ka shumë probleme me kanalizime po zgjidhje janë impiantet e vogla. Do të kemi 305 megavat me erë, do te vazhdojmë investime në termocentralin A dhe B për 20 vitet e ardhshme”, ka shtuar Kurti.
Në këtë tubim Vetëvendosje prezantoi listën e kandidatëve për deputet , përmes të cilëve u tha se do të arrihet zhvillimi ekonomik, e ardhmja evropiane, valuta digjitale, themelimi i një kompanie ajrore me kapital publik, trafik urban e nderurban me biletë të integruar gjithandej Kosovës, rritje e pagave, paga e 13 për sektorin privat si dhe paga e 14 për sektorin publik.

