Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, afati për aplikim, i cili ka nisur më 5 maj, do të zgjasë deri më 30 maj 2026.
Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike, organizatat joqeveritare, institucionet qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare, mediat dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja mund të aplikojnë online për akreditimin e vëzhguesve.
Procesi i aplikimit zhvillohet në dy hapa: fillimisht përfaqësuesi i autorizuar plotëson të dhënat në platformën online të KQZ-së, ndërsa pas verifikimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, dërgohen kredencialet për të vazhduar me regjistrimin e vëzhguesve.
KQZ thekson se vetëm vëzhguesit e akredituar do të kenë të drejtë të ndjekin procesin zgjedhor, përfshirë votimin dhe numërimin në Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

