Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, tha se Kosovës i ka munguar opozita.
Ai kërkon votën e qytetarëve të vendit, pasi, siç thotë ai, PSD do të jetë opozitë. Sipas tij, votën po e kërkojnë për të qenë opozitë në Kosovë.
Në një intervistë zgjedhore në RTK, Molliqaj tha se PSD-ja ka zgjedhur një qasje të ndryshme nga partitë e tjera opozitare, pasi sipas tij, Kosovës i ka munguar opozita.
“Ne kemi besuar fuqishëm që Kosovës i ka munguar opozita në shikimin tonë, qysh ne e shohim që duhet me u thënë një opozitë”, tha ai.
Sipas tij, PSD-ja nuk pret “ndryshime të mëdha elektorale”, por synon të përfaqësohet me gjashtë deputetë në Kuvend.
“Ne jemi futur me gjashtë për shkak se dëshirojmë me ja bërë të qartë votuesit që, nëse doni me votuar për opozitë në mandatin e ardhshëm, këta janë njerëzit”, u shpreh Molliqaj.
“Në fakt s’ka pasur opozitë. Ne nuk jemi opozita e opozitës, në fakt ne jemi opozitët”, deklaroi ai.
Molliqaj hodhi poshtë pretendimet se kritikat e PSD-së ndaj opozitës po i shërbejnë Vetëvendosjes, duke thënë se qytetarët janë të vetëdijshëm për zgjedhjet e tyre politike.
“Qytetarët nuk janë ujë që shkojnë në mulli. Qytetarët janë të vetëdijshëm që votojnë”, tha ai.
Ai theksoi se kërkesa e PSD-së ndaj votuesve është specifike dhe lidhet me rolin opozitar në mandatin e ardhshëm.

