Për herë të parë që nga viti 1999, produktet “Made in Kosova” do të pajisen me Certifikatën e Origjinës të njohur ndërkombëtarisht, falë akreditimit të Odës Ekonomike të Kosovës nga organizatat ndërkombëtare të odave ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për Radio Kosovën se ky dokument garanton identifikimin e mallrave kosovare në mbarë botën, duke sjellë lehtësira tarifore, rritje të besueshmërisë dhe mundësi të reja për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Produktet e prodhuara në Kosovë do të pajisen me Certifikatën e Origjinës, e cila do të njihet zyrtarisht në tregjet ndërkombëtare. Sipas Rafunës, kjo do të mundësojë që mallrat “Made in Kosova” të identifikohen si produkte me origjinë nga Republika e Kosovës, pavarësisht nëse shteti ku eksportohen i ka njohur ose jo institucionet e Kosovës.
Ai theksoi se ky sukses është rezultat i një pune intensive dyvjeçare, e cila përfundoi me akreditimin e Odës Ekonomike të Kosovës nga organizatat përkatëse ndërkombëtare.
“Përmes kësaj certifikate, e cila tashmë do të njihet ndërkombëtarisht dhe do të lëshohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, mallrat tona do të përfitojnë nga mundësi të ndryshme, përfshirë trajtime preferenciale, lehtësime tarifore dhe përfitime të tjera në tregje të ndryshme ndërkombëtare”, tha Rafuna.
Ai shtoi se përveç lehtësirave tregtare dhe doganore, certifikata do të shërbejë edhe si dëshmi se produktet kosovare i përmbushin standardet ndërkombëtare të cilësisë.
“Kjo certifikatë dëshmon se produkti i ka plotësuar standardet ndërkombëtare të nevojshme për t’u tregtuar dhe konsumuar. Ajo paraqet një vlerë të shtuar për mallrat e Kosovës dhe rrit besueshmërinë e tyre te konsumatorët, jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe në tregjet ndërkombëtare”, tha ai.
Në fund, Rafuna vlerësoi se njohja ndërkombëtare e certifikatës së origjinës do të krijojë kushte më të favorshme për bizneset vendore dhe do të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.

