Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për dispozitat e Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, e cila ka nxitur reagime ditëve të fundit.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se dispozita e Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, e cila ka nxitur debat dhe reagime ditëve të fundit, nuk është një risi e sjellë nga qeveria aktuale, por buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe është pjesë e rendit kushtetues të Kosovës që nga viti 2008.
Në një konferencë për media të martën, Sveçla ka thënë se neni 31 i Ligjit për Shtetësinë së vitit 2026 është i njëjtë me dispozitën e paraparë në nenin 155 të Kushtetutës së Kosovës dhe se opozita po kritikon një normë që, sipas tij, vetë e ka bërë pjesë të përhershme të Kushtetutës përmes ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012.
“Ditëve të fundit janë bërë deklarime të shumta lidhur me Ligjin për Shtetësinë e Republikës së Kosovës. Për shkak të interesimit publik, është e rëndësishme të sqarohen disa fakte themelore, posaçërisht lidhur me nenin 31 të këtij ligji. Së pari, neni 31 i Ligjit për Shtetësinë e vitit 2026 nuk është një dispozitë e re. Ky nen është pjesë e dispozitave themelore kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 155 që derivon nga Pakoja e Ahtisaarit. Kjo e drejtë nuk është krijuar apo njohur nga kjo qeveri dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri, ashtu siç eksponentët e opozitës po e proklamojnë”, tha ai.

