Thursday, June 4, 2026
HomeLajmeKosovëGAP dhe KLGI kundërshtojnë tarifën për hyrje në Prishtinë

GAP dhe KLGI kundërshtojnë tarifën për hyrje në Prishtinë

Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale kanë kërkuar tërheqjen e dispozitave që i konsiderojnë diskriminuese në draft-rregulloren e re të Komuna e Prishtinës për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, si dhe zhvillimin e një konsultimi publik të veçantë për këtë dokument.

Në një reagim publik, dy organizatat kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me “Draft Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale”, duke vlerësuar se disa nga dispozitat e propozuara rrezikojnë të cenojnë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit.

Sipas tyre, drafti parasheh vendosjen e tarifave komunale për veprimtari ekonomike pa një metodologji të qartë të llogaritjes dhe pa analizë të ndikimit ekonomik. Po ashtu, kundërshtohet edhe propozimi për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për hyrjen në territorin e Prishtinës për automjetet e regjistruara jashtë kryeqytetit.

GAP dhe KLGI vlerësojnë se masa të tilla krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar shkeljen e parimit të mosdiskriminimit.

Organizatat kanë rikujtuar gjithashtu se Prishtina është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë për shkak të statusit të kryeqytetit, duke marrë rreth 20 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit për të përballuar ngarkesat shtesë administrative dhe funksionale.

Në reagimin e tyre, ato i bëjnë thirrje Komunës së Prishtinës që të heqë dorë nga dispozitat që prodhojnë trajtim diskriminues, të organizojë konsultime publike të ndara me grupet e prekura dhe të ofrojë analiza të qarta mbi ndikimin ekonomik dhe social të masave të propozuara.

Sipas GAP dhe KLGI, rregulloret komunale duhet të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke garantuar trajtim të barabartë për qytetarët dhe bizneset dhe duke u hartuar përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram