Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u hap ekspozita “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes Shtypit të Fshehtë”, e organizuar nga Instituti i Historisë `Ali Hadri`.
Ekspozita sjell para publikut një koleksion të rëndësishëm të materialeve të shtypit të fshehtë, të cilat dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe të drejta kombëtare gjatë periudhës 1980–1999.
Përmes gazetave, revistave, trakteve dhe botimeve të tjera ilegale, vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me një dimension të rëndësishëm të rezistencës politike dhe kombëtare.
Shtypi i fshehtë luajti një rol të veçantë në informimin e qytetarëve, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përhapjen e idealeve për liri në një periudhë të karakterizuar nga represioni politik. Materialet e ekspozuara dëshmojnë guximin dhe përkushtimin e veprimtarëve që, pavarësisht rreziqeve, e mbajtën gjallë frymën e rezistencës.
Organizatorët vlerësuan se ekspozita synon të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës historike dhe të ofrojë një pasqyrë më të plotë të rolit që pati fjala e shkruar në proceset politike dhe shoqërore të Kosovës gjatë dy dekadave të fundit të shekullit XX.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.


