Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Shqipëria është zgjedhur me votë unanime të 45 vendeve anëtare si Presidente e Forest Europe për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme për vendin, duke theksuar se Forest Europe është platforma më e rëndësishme pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve.
Sipas tij, organizata bashkon 45 shtete evropiane dhe Bashkimi Evropian për të përcaktuar drejtimet strategjike të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetit pyjor, klimës dhe ekonomisë së gjelbër.
“Deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj organizate, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve”, shkroi Rama.
Kryeministri shtoi se kjo përgjegjësi do t’i japë Shqipërisë mundësinë të rrisë kompetencat dhe reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar presidencën e Forest Europe si një eksperiencë të rëndësishme për vendin.

