Wednesday, June 3, 2026
HomeLajmeKosovëTerras: Kriza politike ka dëmtuar funksionimin normal të proceseve politike

Terras: Kriza politike ka dëmtuar funksionimin normal të proceseve politike

Viti i kaluar ishte i humbur për Kosovën, ndërsa edhe muajt e këtij viti po rrezikohen për shkak të krizës politike, thuhet në raportin e miratuar në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Tërhiqet vërejtja se vendi rrezikon të humbasë fonde të konsiderueshme nga Plani i Rritjes, pasi mund të mos jetë në gjendje t’i përmbushë reformat e nevojshme.

Autori i dokumentit, eurodeputeti Riho Terras, ka vlerësuar se një vit e gjysmë i fundit ka qenë i vështirë për Kosovën dhe se ngërçi politik mund të ketë pasoja për të ardhmen e vendit. Sipas tij, kriza politike ka dëmtuar ndjeshëm funksionimin normal të proceseve politike.

 “I falënderoj bashkëraportuesit e tjerë. Ata ishin shumë konstruktivë dhe bashkëpunimi ishte shumë i mire. Uroj që Kosova të dalë nga kriza sa më shpejt,” Terras

Në raport mbështetet, mes tjerash, aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bëhet thirrje shteteve anëtare që, pa vonesa të panevojshme, të procedojnë me hapat që çojnë drejt dhënies së statusit të kandidatit.

Po ashtu, u bëhet thirrje pesë shteteve mosnjohëse që ta njohin Kosovën, në mënyrë që të mundësohet avancimi i saj i barabartë me vendet e tjera kandidate në procesin e integrimit evropian.

Në raport përshëndetet vendimi për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke u vlerësuar se ato ishin të pajustifikuara dhe se kanë pasur ndikim negativ në shoqërinë kosovare.

Gjithashtu përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj procesit integrues. Në këtë kontekst rikujtohet se dialogu mbetet pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës.

Ndërkohë, Kosovës dhe Serbisë u bëhet thirrje të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit terrorist të vitit 2023 në Banjskë. Në këtë kuadër shprehet keqardhje për faktin se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht përgjegjësit për këtë sulm, veçanërisht Milan Radoiçiqin.

Dokumenti i miratuar në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian do të votohet gjatë muajve të verës në seancë plenare, kur do të marrë formën e Rezolutës së Parlamentit Evropian.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram