Wednesday, June 10, 2026
HomeLajmeKosovëDnV: Zgjedhjet përmbushën standardet demokratike

DnV: Zgjedhjet përmbushën standardet demokratike

Organizata Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar Deklaratën Preliminare për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 7 qershorit, duke vlerësuar se procesi zgjedhor është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta.

Eugen Cakolli nga DnV, ka theksuar se procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe se qytetarët kanë pasur mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës pa pengesa serioze.

Sipas tij, Demokracia në Veprim vlerëson që zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e lira, konkurruese dhe të qeta.

“Procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase, ndërsa votuesit kanë pasur mundësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë dhe të barabartë. Zgjedhjet, sidoqoftë, janë mbajtur në një proces të pazakontë politik dhe institucional, meqenëse janë zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen në më pak se një vit e gjysmë”, ka deklaruar ai.

Cakolli ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shënuar progres të dukshëm në administrimin e procesit dhe në funksionimin e brendshëm institucional.

DnV, sipas tij, ka vërejtur rënie të interesimit qytetar për pjesëmarrje në votime, krahasuar me proceset e kaluara.

“Në krahasim me zgjedhjet paraprake, edhe fushata edhe dita e zgjedhjeve në Kosovë janë karakterizuar nga një rënie, e cila është manifestuar me riciklim të ofertave politike dhe me ulje të motivimit qytetar për të marrë pjesë në zgjedhje, me ç’rast kemi shënuar një prej daljeve më të ulëta në zgjedhje në pothuajse një dekadë”, ka theksuar Cakolli.

Cakolli ka theksuar se edhe votimi jashtë vendit është zhvilluar pa probleme serioze dhe pa kontestimet që kishin karakterizuar zgjedhjet e kaluara.

“Interesimi i votuesve jashtë vendit mbetet jashtëzakonisht i lartë me mbi 131 mijë votues të regjistruar suksesshëm, prej të cilëve rreth 85 mijë tashmë kanë dërguar në mënyrë të suksesshme pakot e tyre të votave me postë, ndërsa pjesëmarrja në votimin fizik në përfaqësi diplomatike është e ngjashme me atë të zgjedhjeve të fundit, me rreth 82 për qind”, ka theksuar ai.

Sipas tij, DnV vlerëson se fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient të qetë dhe konkurrues, por evidenton probleme serioze në aspektin e barazisë së garës.

“Problemi kryesor dhe më i ndjeshëm i kësaj fushate zgjedhore ishte padyshim çështja e barazisë së garës. Vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për grupe të mëdha demografike, përfshirë studentët, punëtorët e sektorit privat, pensionistët dhe familjet, kanë krijuar një avantazh të padrejtë në raport me subjektet tjera politike. Për më tepër, vendimi për ndarjen e mjeteve për linjat ajrore që sjellin mërgimtarë nga jashtë vendit disa ditë para zgjedhjeve ka cenuar në mënyrë serioze parimin e barazisë së garës”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve, por vëmendja është përqendruar më shumë në dinamikat politike sesa në programet konkrete.

Cakolli ka theksuar se sa i përket ditës së zgjedhjeve, DnV e konsideron atë ndër më të rregulltat e organizuara në Kosovë.

“Dita e zgjedhjeve u zhvillua në atmosferë të qetë dhe besojmë që kjo ditë e zgjedhjeve është prej më të rregulltave që janë organizuar në historinë e re të Kosovës, si për nga numri i incidenteve serioze, ashtu edhe për nga përmirësimi i mangësive që i kanë karakterizuar zgjedhjet paraprake”, u shpreh Cakolli.

Një prej zhvillimeve më pozitive, sipas tij, ishte ulja drastike e numrit të votuesve që kanë votuar me asistencë.

DnV njoftoi gjithashtu se është duke monitoruar procesin e numërimit në qendrat komunale me 100 vëzhgues në të gjitha komunat e vendit.

Cakolli bëri të ditur se vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe raste të mospërputhjeve mes fletëvotimeve të paraqitura në ekran dhe atyre të procesuara në sistem.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram