Operatorët VALA dhe RTK kanë lëshuar një paralajmërim të prerë për të gjitha mediat dhe platformat digjitale. Çdo transmetim apo përdorim i paautorizuar i markës zyrtare të Botërorit do të ndiqet në rrugë ligjore.
Përmes një njoftimi të përbashkët, dy ditë para nisjes së Kampionatit Botëror të Futbollit, të dy operatorët kanë bërë të ditur se do të monitorojnë hapësirën televizive dhe atë virtuale në mënyrë të vazhdueshme.
“Nën lupën e monitorimit do të jetë çdo përdorim i paautorizuar i logos zyrtare, trofeut, identitetit vizual dhe elementeve të tjera të brendit të FIFA-s. Sipas legjislacionit në fuqi, shpërndarja apo transmetimi i përmbajtjeve të mbrojtura në platformat televizive, digjitale apo rrjete sociale pa lejen e duhur përbën shkelje të rëndë të të drejtave të pronsisë”, thuhet në njoftim.
VALA dhe RTK u kanë bërë thirrje të gjitha mediave, operatorëve kabllorë, të gjitha platformave digjitale, përfshirë ato në rrjetet sociale, që t’i respektojnë rregullat, duke kujtuar se të drejtat ekskluzive duhen respektuar për të garantuar një garë të ndershme dhe profesionale.

