Përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë riafirmuar mbështetjen për përpjekjet e Kosovës në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike, duke e konsideruar gazin e lëngshëm natyror (LNG) si një alternativë me potencial për të ardhmen e sektorit energjetik të vendit.
Gjatë diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Zëvendësndihmësi i Sekretarit në Departamenti i Energjisë i Shteteve të Bashkuara, Dan Byers, theksoi se siguria energjetike është një element kyç i sigurisë kombëtare.
Sipas njoftimit të Odës Ekonomike Amerikane, Byers vlerësoi rolin që thëngjilli vazhdon të ketë në sistemin energjetik të Kosovës, por shtoi se LNG-ja mund të shndërrohet në një komponent të rëndësishëm të miksit energjetik të vendit, veçanërisht në kushtet e rritjes së kërkesës për energji.
Ai theksoi se SHBA-ja është prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se kapacitetet amerikane për eksportin e LNG-së pritet të rriten ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara aktualisht mbulojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe do të vazhdojnë të mbështesin aleatët evropianë me furnizime të sigurta dhe të diversifikuara.
Byers nënvizoi gjithashtu se sigurimi i furnizimit duhet të shoqërohet me investime në infrastrukturë, duke përmendur rëndësinë e ndërlidhjeve rajonale dhe korridoreve energjetike që mund t’i mundësojnë Kosovës qasje në LNG.
Në këtë kuadër, ai shprehu gatishmërinë e Departamentit Amerikan të Energjisë për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale që synojnë forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore.
Në fund, Byers theksoi se planifikimi afatgjatë, studimet e fizibilitetit, investimet strategjike dhe diplomacia energjetike janë elemente thelbësore për të përgatitur Kosovën që të përfitojë nga mundësitë që ofron LNG-ja, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik.

