Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve, martirëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se Kosova e lirë mbetet krenaria e qytetarëve të saj, duke theksuar se të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit janë pjesë e pandashme e kujtesës kolektive.
“Disa ranë për Kosovën, disa jetuan për të, por të gjithë janë pjesë e kujtesës sonë”, ka shkruar ai.
Hamza ka theksuar gjithashtu se Kosova u çlirua me një luftë të drejtë dhe se kjo e vërtetë, sipas tij, mbetet e pandryshueshme nga lufta për liri e deri te proceset gjyqësore në Hagë.
Në fund të mesazhit të tij, kreu i PDK-së ka bërë thirrje për liri për të gjithë çlirimtarët dhe ka uruar qytetarët .

