Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe te monumenti i heroit Zahir Pajaziti, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Gjatë homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, Haxhiu tha se rruga drejt lirisë nuk erdhi nga një burim i vetëm, por nga përpjekjet e përbashkëta të personaliteteve dhe luftëtarëve që kontribuuan për çlirimin e vendit.
“Edhe ditën e sotme e nisëm në Prekaz dhe e vazhduam te varri i presidentit Ibrahim Rugova, më pas te varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe tani jemi këtu te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti. Këta emra janë dëshmia që liria nuk erdhi nga një rrugë e vetme. Këta emra janë dëshmia që liria erdhi nga qëndresa dhe sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, nga urtësia dhe nga këmbëngulësia politike e presidentit Ibrahim Rugova, nga rezistenca e veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, të cilit 28 vite burgim nuk ia zbehën dhe as nuk ia thyen besimin te liria, dhe nga guximi e trimëria e komandantit Zahir Pajaziti, por edhe nga gjaku i të gjithë dëshmorëve të kombit.”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu u shpreh se trashëgimia që e lanë heronjtë dhe dëshmorët duhet të jetë si udhërrëfyes institucionet që shtetin ta bëjnë edhe më të drejtë, më të fortë, dhe më të denjë. “Lavdi dëshmorëve të kombit dhe falënderim të gjithë atyre që kontribuuan që Kosova jonë, që Republika e Kosovës të jetë e çliruar, e lirë dhe e pavarur. Faleminderit!”, deklaroi Haxhiu.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se aksionet guerile të para luftës dhe sakrifica e brezave të tërë e bënë të pakthyeshme rrugën drejt çlirimit të Kosovës.
“Aksionet guerile para luftës, sikurse ato të komandantit Zahir Pajaziti, dhe ngjarjet historike si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë bërë udhën e çlirimit të pakthyeshme. Çdo 12 Qershor, ne kujtojmë të gjithë brezat të cilët u përpoqën, vuajtën, u sakrifikuan përgjatë okupimit të Kosovës nga Serbia për afër 87 vite e që u përmbyll me luftën e lavdishme çlirimtare dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Komandanti Zahir Pajaziti, bashkë me Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën dhe me shumë shokë të tjerë, e dinin që liria e popullit, çlirimi i vendit, bashkimi i shtetit, demokracia, republika nuk mund të bëhen pa e konsideruar që faktori i brendshëm është vendimtar dhe nismëtar”, tha Kurti .
Ai deklaroi se ata qysh herët u organizuan në mënyrë që Kosova të çlirohet dhe të shporret armiku i Kosovës, Serbia agresore.
“Sot Republika e Kosovës e ka ushtrinë e fortë, e ka policinë e aftë e së shpejti do të ketë edhe xhandarmërinë, në mënyrë që ta sigurojmë paqen, ta garantojmë stabilitetin institucional, t’i kontribuojmë sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë, të vazhdojmë me hapat tonë drejt integrimit në NATO e në Bashkim Evropian, dhe sundimi i ligjit e të drejtat për qytetarët të jenë kudo, përherë, për secilin. Gëzuar 12 Qershori, dita e çlirimit të Kosovës, dhe lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!”, tha Kurti.

