Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku vlerësuan sakrificën e familjes Jashari si themel të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Gjatë vizitës në Prekaz, Haxhiu theksoi se rruga drejt lirisë së Kosovës është e lidhur ngushtë me sakrificën dhe qëndresën e familjes Jashari gjatë marsit të vitit 1998.
Ajo u shpreh se 12 Qershori nuk mund të kuptohet pa rezistencën e komandantit Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët ranë në mbrojtje të atdheut.
Sipas saj, familja Jashari nuk mbrojti vetëm shtëpinë e saj, por edhe idealin e lirisë dhe të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë në vendin e vet.
“Sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe shteti i lirë i Kosovës. Çdo festim i Ditës së Çlirimit fillon pikërisht këtu, pranë varreve të atyre që dhanë jetën për liri”, u shpreh Haxhiu.
Ajo shtoi se liria e sotme mbetet amanet i dëshmorëve dhe obligim për institucionet dhe qytetarët për ta forcuar dhe nderuar Kosovën çdo ditë.
Haxhiu i cilësoi dëshmorët e kombit si themelin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nderoi sakrificën e familjes Jashari dhe të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur Prekazin simbol të qëndresës dhe lirisë së popullit shqiptar.
“Sot, më 12 qershor, vijmë këtu si krerë të institucioneve në Prekaz, në këtë vend që simbolizon kryengritjen bashkëkohore të popullit shqiptar dhe epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi sakrificën e tre brezave të familjes Jashari gjatë betejës së marsit 1998, duke theksuar se qëndresa e tyre mbetet frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Sipas Kurtit, lufta dhe flijimi i familjes Jashari janë pjesë e pandashme e identitetit historik dhe kombëtar shqiptar, ndërsa kthimi i vazhdueshëm në Prekaz për të nderuar dëshmorët dëshmon përkushtimin ndaj idealeve të çlirimit, pavarësisë dhe zhvillimit të vendit.
“Duke u kthyer vazhdimisht këtu dhe duke kujtuar sakrificën e Jasharëve, ne i qëndrojmë besnikë çlirimit, pavarësisë dhe progresit”, tha ai.
Kosova më 12 qershor shënon 27-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s dhe çlirimit të vendit, një nga datat më të rëndësishme në historinë e saj të re.

